Zhurmat në vesh kanë një sërë shkaktarësh dhe për mjekët specialistë e rëndësishme është ndjekja e problemit, i cili kryesisht ka të bëjë me dëmtimin e veshit të brendshëm. Nëse ky dëmtim është i madh, atëherë pacientët kanë zhurmë në vesh, e cila në të shumtën e rasteve bëhet kronike. Por çfarë duhet të bëjnë këta pacientë?
Nga se shkaktohet ajo dhe cilat janë sëmundjet që rrezikojnë atë?

Zhurmat e veshit vijnë nga dëmtimi mikroskopik në mbaresën e nervit të dëgjimit në veshin e brendshëm. Lëndimet në këto mbaresa shkaktojnë dhe humbjen e dëgjimit. Ekspozimi ndaj zhurmave me zë të lartë dhe barnat me efekte anësore si ato antiflamatore, antibiotik, sedativ, kundër depresionit dhe aspirina, mund të shkaktojnë Tintus apo zhurma në vesh, në njërin apo të dy veshët. Tintusi shkaktohet dhe nga faktorë të tjerë, si bllokimi i veshit, infeksionet e veshit apo sinusit, alergjitë, tumoret, tensioni arterial i rritur ose i ulur, problemet në zemër, enët e gjakut, ndryshimet hormonale te femrat dhe problemet e gjendrës tiroide.

Cilat janë simptomat kryesore të sëmundjes dhe si bëhet diagnostikimi i saj?

Simptomat e zhurmave lidhen ngushtë me sëmundjen e Menier-it që shkaktohet nga shtimi i presionit intralabirintik që është pasojë e çrregullimeve të përgjithshme vaskulare, të cilat risin depërtueshmërinë e enëve të gjakut. Sëmundja karakterizohet me marrje mendsh, zhurmë në vesh dhe pakësim i dëgjimit i tipit perceptiv. Diagnoza vendoset duke u bazuar në historinë e detajuar të sëmundjes. Testet që bëhen janë: testi i dëgjimit (audiometria) dhe skanimi i trurit (rezonanca magnetike dhe EEG). Testi spinal është i nevojshëm në disa raste për të parë presionin e lëngjeve në kokë dhe në palcën kurrizore.

Po sa i përket trajtimit, cilat janë këshillat që pacienti duhet të ketë parasysh? 

Këshillat për këta pacientë janë shumë të rëndësishme, pasi kjo është një komponent edukativ që ndihmon për të kuptuar dhe ndryshuar mënyrën e të menduarit në lidhje me zhurmat e veshit. Një tjetër këshillë është edhe vendosja e aparateve të dëgjimit, pajisje të cilat ndihmojnë njerëzit që kanë ulje të dëgjimit dhe zhurma në vesh. Rekomandohet që të përdoren për të dëgjuar muzikë të lehtë, të këndshme si; psh ato që kanë karakteristikë valët e detit, shiun etj. Stimulimi nervor akustik është një teknikë e re për njerëzit që përjetojnë zhurma me zë shumë të lartë kumbues. Por, edhe terapia kundër depresionit dhe anksiolitikët që rekomandohen të përdoren për t’u çlodhur dhe për të ndihmuar gjumin.

Si mund ta parandalojmë këtë problem? 

Disa këshilla parandaluese për të zvogëluar ose pakësuar zhurmat në vesh kanë të bëjnë me shmangien e tingujve dhe zhurmave me zë të lartë. Presioni i gjakut duhet të kontrollohet rregullisht dhe të mbahet nën kontroll, si dhe këshillohet përdorimi sa më i pakët i kripës në ushqim, sepse ajo dëmton qarkullimin e gjakut. Po kështu e rëndësishme është edhe pakësimi i përdorimit të kafes, coca-cola dhe duhanit. Të vlefshme janë ushtrimet rutinore për të përmirësuar qarkullimin e gjakut, si dhe të shmangen lodhjet, të pushohet sa më shumë.