1. Vlerësim specifik i veshit. Fillon me vizitën e mjekut otorinolaringolog për vënien e diagnozës dhe mundësinë e trajtimit të problemit dëgjimor. I sëmuri duhet ti nënshtrohet ekzaminimit të dëgjimit dhe pasi përjashtohet mundësia e riaftësimit të dëgjimit me barna apo operacion, këshillohet vendosja e protezës dëgjimore duke e referuar rastin drejt një profesionisti të dëgjimit (audioprotezist).

2. Personalizimi i aparatit të dëgjimit. Një aparat dëgjimi dixhital duhet të programohet dhe të personalizohet sa më mirë për rastin konkret. Edhe kur janë të ngjashme, asnjëherë nuk mund të gjënden dy rënie dëgjimi të njëllojta, qoftë nga dëmtimi i veshit , qoftë nga vetë personi i dëmtuar. Kjo do të thotë që programimi i personalizuar ka një rëndësi të veçantë në suksesin e vendosjes së aparatit dhe mbarëvajtjes së tij. Vetëm kështu rënia e dëgjimit do të rikuperohet me efektivitet të plotë.

3. Vlerësimet psikologjike dhe këshillimet. Një aparat dëgjimi nuk është një prodhim normal konsumi. Ai përfaqson një aparaturë mjekësore të ndërlikuar. Mesatarisht njerëzit që e dinë se kanë një problem me dëgjimin e tyre humbin rreth 7 vjet kohë deri sa të marrin një vendim se si ta zgjidhin ate. Gjatë kësaj kohe ata gjithnje mendojnë: “Çdo mendojnë njerëzit për mua, nëse ata e marrin vesh se unë mbaj një aparat dëgjimi”. Kjo është frika që i mban larg ata nga vendimi për të marë një aparat dëgjimi, por i shtyn të provojnë lloj-lloj aparatesh duke u konsultuar me veten apo me një mik të tijin aspak kompetent. Kjo është njëlloj sikur të imobilizosh një krah të thyer me Band-Aid, apo ti kërkosh një njeriu dosido të të vendosë allçinë.

4. Arti i protezimit. Jo kushdo mund të vendosë një aparat dëgjimi. Këtu bën pjesë edhe një mjek otorinolaringolog apo audiolog që nuk njohin audioprotezinë. Përzgjedhja dhe përshtatja e aparateve të dëgjimit është art në vete që udhëhiqet nga shkenca e elektronikës dhe informatikës, të plotësuar edhe me eksperiencën e një audioprotezisti. Kjo do të thotë se dy njerëz me rënie dëgjimi në nivele të barabarta dhe që mbajnë të njëjtin aparat, mund të mos kenë të njëjtin efektivitet. Kjo kërkon përshtatje individuale të aparateve, gjë që realizohet nga një audioprotezist me përvojë. Në vendin tonë duhet bërë akoma një punë e madhe për njohjen e figurës së specialistit të aparateve të dëgjimit (apo audioprotezistit) dhe renditjen e tij në nivel të barabartë me teknikët dentare, okulistë etj.